Nivelet e Koshiencës
Nivelet e Koshiencës
Sistemi vertikal i niveleve të Koshiencës
Në organizimin e pjesëve të Qenies ka dy sisteme, të
cilat janë aktive njëkohësisht dhe janë të ndërthurura me njëri-tjetrin: një sistem vertikal dhe një sistem koncentrik.
Sistemi vertikal
është si një shkallë, e cila përbëhet nga nivelet e ndryshme të Koshiencës, duke
i renditur nga më i ulëti, Jokoshienca, deri tek më i larti, Sat-Çit-Tapas/Shakti-Ananda.
Hemisfera Më E Lartë, mbreteria e Frymës së përkryer e të përhershme, ndahet
nga Hemisfera Më E Ulët, ku Fryma është e mbuluar nga Mentalja/Mendja, Vitalja/Jeta
dhe Materia/Fizikja/Trupi, nëpërmjet nivelit ndërmjetësues të Mbimentales, e
cila përfshin edhe disa nivele të tjera ndërmjetësuese. Hemisfera Më E Lartë
dhe Nivelet Ndërmjetësuese bashkë e përbëjnë Mbikoshiencën.
Hemisfera Më E Lartë
Sat-Çit-Tapas/Shakti-Ananda
Supramentalja
Nivelet Ndërmjetësuese
Mbimentalja
Mentalja Intuitive/Intuita
Mentalja E Ndriçuar
Mentalja Më E Lartë
Hemisfera Më E Ulët
Mentalja/Mendja
Vitalja/Jeta
Materia/Fizikja
Nënkoshienca
Jokoshienca
Mbikoshienca
Mbikoshienca
përbëhet nga nivelet më të larta të Koshiencës mbi mendjen e zakonshme, nga e
cila Koshienca Më E Lartë zbret poshtë në nivelet më të ulëta të Qenies, për të
zhvilluar ngadalë njeriun spiritual nga gjysmë-kafsha mentale.
Mbikoshienca
përfshin nivelet përtej Mentales, d.m.th. Realitetin Suprem të quajtur Sat-Çit-Tapas/Shakti-Ananda
(Të Qenë-Koshiencë-Forcë-Lumturi) dhe Supramentalen, si dhe – në rend zbritës –
nivelet më të larta të Mentales, d.m.th. Mbimentalen, Mentalen Intuitive,
Mentalen E Ndriçuar dhe Mentalen Më Të Lartë.
Sat-Çit-Tapas/Shakti-Ananda
Qenia
Hyjnore E Vetme ka katër aspekte: Të Qenë (Sat), Koshiencë (Çit), Forcë (Tapas/Shakti)
dhe Lumturi (Anandë). Hyjnorja, Qenia Supreme, nga e cila të gjithë vijnë, në
të cilën të gjithë janë dhe tek e cila të gjithë kthehen, është Të
Qenë-Koshiencë-Forcë-Lumturi (Sat-Çit-Tapas/Shakti-Ananda). Ajo manifestohet si
Të Qenët e pafund, esenca e së cilës është Koshienca me Forcën e saj të
brendaqenësishme. Esenca e Koshiencës është Lumturi, vetëgëzim.
“Satçittapasananda është një Të Qenë i përhershëm, i cili jemi ne pastaj; një Koshiencë e përhershme, e cila vështron punët e saja brenda nesh dhe të tjerëve; një vullnet i përhershëm ose një Forcë e përhershme e asaj Koshience, e cila shprehet në punime të pafund; një Lumturi e përhershme, e cila i gëzohet vetvetes dhe të gjitha veprimtarive të saja. Ajo vetë si Më E Larta është e qëndrueshme, e pandryshueshme, e pakohë, e pahapësirë, supreme dhe e qetë në pafundësinë e veprimtarive të saja, jo e ndryshuar nga ndryshimet e tyre, jo e ndarë nga shumësia e tyre, jo e zmadhuar ose e zvogëluar nga zbaticat dhe baticat në detrat e kohës dhe hapësirës, jo e çoroditur nga kontradiktat e tyre të dukshme ose e kufizuar nga kufizimet e tyre të synuara nga Hyjnorja. Satçittapasananda është uniteti i shumanshmërisë së gjërave të manifestuara, harmonia e përhershme e të gjitha variacioneve dhe kundërshtive të tyre, përsosuria e pafund, e cila i justifikon kufizimet e tyre dhe është qëllimi i papërsosmërive të tyre.”[1]
Supramentalja
Supramentalja
është Koshienca E Së Vërtetës, dija hyjnore, Koshienca dhe Forca më e lartë
hyjnore, të cilat veprojnë në univers. Ajo është një parim i Koshiencës, i cili
qëndron sipër Mendjes dhe ekziston e vepron në të vërtetën dhe unitetin
themelor të gjërave dhe jo si Mendja në shfaqjet dhe ndarjet e tyre fenomenale.
Karakteri i saj fundamental është dije nëpërmjet identitetit, me anë të së
cilës njihet Vetja, Të Qenë-Koshiencë-Forcë-Lumturi Hyjnore, Sat-Çit-Tapas/Shakti-Ananda,
dhe gjithashtu e vërteta e manifestimit.
Sipas Shri
Aurobindos termi “Supramentale” do të thotë një nivel mbikoshient i Qenies, i
cili ndodhet jo vetëm sipër Mendjes, por edhe përtej asaj, sepse ai është radikalisht
i ndryshëm nga ajo. Supramentalja është përtej dhe e ndryshme jo vetëm në
lidhje me Mendjen e zakonshme, por edhe në krahasim me nivelet mbikoshiente të
mendjes, d.m.th. me Mentalen Më Të Lartë, Mentalen E Ndriçuar, Mentalen
Intuitive dhe Mbimentalen. Ndërsa të gjitha këto nivele mbikoshiente të Mendjes
janë përzierje të dritës dhe errësirës, të dijes dhe padijes, Supramentalja
është Koshienca E Së Vërtetës totalisht pa injorancë.
“Supramentalja është në esencën e saj të mirëfilltë një Koshiencë E Së Vërtetës, gjithnjë e lirë nga padija, një koshiencë, e cila është themeli i ekzistencës sonë aktuale natyrale ose evolucionare, dhe nga e cila natyra brenda nesh përpiqet të arrijë tek vetëdija dhe botëdija dhe tek një koshiencë e drejtë dhe një përdorim i drejtë i ekzistencës sonë në univers. Supramentalja, ngaqë është një Koshiencë E Së Vërtetës, e zotëron këtë dije të brendaqenësishme dhe këtë fuqi të ekzistencës së vërtetë. Rrjedha e saj është e drejtë dhe mund të shkojë direkt tek qëllimi i saj. Fusha e saj është e gjerë dhe mund të bëhet bile e pakufishme, sepse natyra e saj e mirëfilltë është dije. Ajo nuk duhet të fitojë dije, por e zotëron atë në të drejtën e vet. Hapat e saj nuk janë nga padija në një dritë të papërkryer, por nga një e vërtetë në një të vërtetë më të madhe, nga një perceptim i drejtë në një perceptim më të thellë, nga intuita në intuitë, nga ndriçimi në ndritshmërinë absolute dhe të pakufi, nga gjerësitë rritëse në pafundësinë e mirëfilltë. Në kulmin e saj ajo zotëron plotdijen hyjnore dhe plotfuqinë hyjnore. Në lëvizjen e saj të shkallëshkallshme evolucionare të vetëmanifestimit, nëpërmjet së cilës ajo do të zbulojë në fund lartësitë e veta më të larta, ajo duhet të jetë në natyrën e saj të mirëfilltë esencialisht e lirë nga padija dhe gabimi. Ajo niset nga e vërteta dhe drita dhe lëviz gjithmonë në të vërtetë dhe dritë.”[2]
Mbimentalja
Midis Supramentales
dhe Mentales ka shkallare më të larta të Mendjes, të cilat gjenden përmbi
Mendjen tonë normale dhe çojnë tek Supramentalja. Këto stade, nivele të
njëpasnjëshme ose fuqi të graduara të Qenies janë të fshehura në pjesët tona
mbikoshiente. Në një rend zbritës shkallaret e Mentales Së Spiritualizuar janë
si vijon: Mbimentalja me katër nivelet e saja, të cilat janë Mbimentalja
Supramentale, Mbimentalja E Mirëfilltë, Mbimentalja Intuitive dhe Mbimentalja
Mentale, si dhe tri forcat mbimentale Mentalja Intuitive, Mentalja E Ndriçuar
dhe Mentalja Më E Lartë, të cilat vendosin kalimin nga Mbimentalja në Mentale.
Ndërsa
Supramentalja është Koshienca totale E Së Vërtetës, Mbimentalja si delegatja e
Koshiencës Supramentale në padijen kozmike i tërheq poshtë ndarazi të vërtetat
duke u dhënë atyre një identitet të veçantë. Mbimentalja është “një ekran i ngjashmërisë së pangjashme, nëpërmjet
të cilit Supramentalja mund të veprojë në mënyrë indirekte mbi një injorancë,
errësira e së cilës nuk mund të duronte ose të merrte ndikimin direkt të një
drite supreme. Pikërisht projektimi i kësaj Mbimentaleje të ndritshme mundëson
difuzionin e një drite të zvogëluar në padije dhe hedhjen e kësaj hijeje të
kundërt, e Jokoshiencës, e cila kapërdin gjithë dritën në vetvete. Ngaqë
Supramentalja ia transmeton Mbimentales të gjitha realitetet e saja, por ia lë
asaj t’i formulojë ato në një lëvizje dhe në përputhje me një koshiencë të
gjërave, e cila është ende një vizion i së vërtetës dhe megjithatë njëkohësisht
një prind i parë i injorancës.”[3]
“... Mbimentalja e njeh Të Vetmin si mbështetjen, esencën dhe fuqinë fundamentale të të gjitha gjërave, por në lojën e saj karakteristike dinamike ajo e vë theksin në fuqinë e saj ndarëse të shumësisë dhe provon t’ia japë çdo fuqie ose çdo aspekti shansin e plotë të manifestimit, duke u mbështetur në të qenët një themelor për të shmangur disharmoni ose konflikt. Çdo Perëndi, siç është, krijon botën e saj, por pa konflikt me të tjerat. Çdo aspekt, çdo ide, çdo forcë e gjërave mund të ndihet në energjinë ose shkëlqimin e vet të plotë të veçuar dhe të përpunojë vlerat e veta, pa krijuar disharmoni, sepse Mbimentalja zotëron sensin e pafundësisë dhe në pafundësinë e vërtetë (jo hapësinore) janë të mundura shumë pafundësi përputhëse.”[4]
Mentalja Intuitive/Intuita
Intuita
është një fuqi e Koshiencës afër dhe e afërme me dijen origjinale nëpërmjet
identitetit. Çka është vizion direkt intim në Mentalen Intuitive, bëhet ndriçim
në Mentalen E Ndriçuar dhe mendim-dije në Mentalen Më Të Lartë.
Kjo Intuitë e vërtetë dhe autentike duhet dalluar nga një
fuqi e arsyes mentale, e cila mund të ngatërrohet shumë lehtë me të, nga ajo
fuqi e arsyetimit të përfshirë, e cila e arrin konkluzionin e saj me një kërcim
dhe nuk ka nevojë për hapat e zakonshëm të mendjes logjike. Meqë zakonisht
intuita do të thotë fuqia e kuptimit të gjërave në mënyrë të menjëhershme, pa
pasur nevojë për një argumentim koshient. Në këtë kuptim të zakonshëm intuita
mund të mbështetet në një ndjesi ose mund të jetë një arsyetim i shpejtë
nënkoshient, duke bazuar në shenja subtile, të cilat nuk kuptohen në mënyrë
koshiente. Por Shri Aurobindoja e përdor termin “Intuitë”, i cili ka një
konotacion shumë më të thellë, në lidhje me nivelin mbikoshient poshtë
Mbimentales dhe sipër Mentales Së Ndriçuar.
Mentalja Intuitive “është gjithnjë diçka që hidhet direkt nga një identitet i fshehur. Kur koshienca e subjektit takohet me koshiencën në objekt, atëherë ajo depërton në të dhe sheh, ndien ose vibron me atë të vërtetë, të cilën e kontakton, atëherë, nga fuqia e takimit, Intuita hidhet jashtë si një shkëndijë ose rrufe. Ose kur koshienca, edhe pa një takim të tillë, shikon brenda vetes dhe ndien atje në mënyrë direkte e intime të vërtetën ose të vërtetat, të cilat gjenden në brendësi, ose kontakton forcat e fshehura prapa dukjes së jashtme, atëherë shpërthen gjithashtu një dritë intuitive. Ose kur koshienca takohet me Realitetin Suprem ose Realitetin Spiritual të gjërave dhe qenieve dhe përjeton prej kontaktit një bashkim me të, atëherë shkëndija, rrufeja ose flaka e perceptimit intim të së vërtetës shkreptin në thellësitë e saja.”[5]
Mentalja E Ndriçuar
Mentalja E Ndriçuar është një mendje e dritës spirituale dhe e vështrimit të brendshëm. Është një shqisë spirituale, e cila kap diçka nga substanca e së vërtetës. Veprimi i saj, e cila shoqërohet nga rrjedhja poshtë e një drite të brendshme të dukshme, mund të ndriçojë deri në një farë grade pjesët e Qenies së njeriut nga Mentalja mbi Vitalen deri në qelizat e Trupit. Mendimi është këtu vetëm një funksion dytësor, për të shprehur çfarë po vështrohet. “Qartësia e inteligjencës, drita e saj e qetë e ditës i hap vend ose i nënshtrohet një shkëlqimi intensiv dhe një ndriçimi të Frymës. Një lojë e shkreptimave të së vërtetës dhe fuqisë spirituale hyn me forcë nga lart në koshiencë dhe i shton ndriçimit të qetë e të madh dhe zbritjes së gjerë të paqes, të cilët e karakterizojnë ose shoqërojnë veprimin e parimit më të lartë spiritual, një zjarr të fortë të realizimit dhe një ekstazë dalldisëse të dijes.”[6]
Mentalja Më E Lartë
Mentalja Më E Lartë është një nivel i parë i Koshiencës Spirituale, një mendim-mentale e ndritshme, në të cilën njeriu bëhet vazhdimisht dhe ngushtësisht koshient për Veten dhe Të Vetmin dhe di dhe sheh zakonisht me këtë koshiencë. Tipari i saj është një njohje automatike e spontane me karakter kozmik, një lloj tërësie të vështrimit të së vërtetës me një shikim të vetëm dhe me formulime të mendimit, një realizim efektiv të perceptimeve të saja me anë të vetëfuqisë së idesë. Ky mendim nuk është një dije e fituar, por vetëzbulimi i urtësisë së përjetshme. Idetë e saja mbillen në zemër dhe jetë si një forcë, e cila duhet të përpunohet. “Fuqia e Mentales Më Të Lartë spirituale dhe forca e saj e ideve modifikohen dhe pakësohen në hyrjen e tyre në mendësinë tonë. Prandaj ato nuk mjaftojnë të zhdukin gjithë këto kundërshtime dhe të krijojnë një Qenie Supramentale. Por ato mund të realizojnë një shndërrim të parë, i cili mundëson një ngjitje të mëtejshme dhe një zbritje më të fuqishme. Ato mund të përgatisin një integrim të mëtejshëm të qenies në një forcë më të lartë të koshiencës dhe dijes.”[7]
Mentalja/Mendja
Megjithëse të ndara dhe të ndryshme, Mentalja, Vitalja
dhe Fizikja janë të ndërlidhura dhe ndërveprojnë. Prandaj ato u japin shkas
nënndarjeve të dallueshme në këto pjesë kryesore të Qenies.
Mentalja ose Mendja ka veçanërisht kuptimin e kësaj pjese
të natyrës, e cila ka të bëjë me njohjen dhe inteligjencën, me idetë,
perceptimet mentale, reagimet e mendimit ndaj gjërave, me lëvizjet dhe formimet
vërtet mentale, vizionin dhe vullnetin mental etj., të cilët janë pjesë të
inteligjencës së njeriut. Mentalja e zakonshme përbëhet nga tri pjesë kryesore:
Mentalja e Mirëfilltë, Mentalja Vitale dhe Mentalja Fizike.
Mentalja
E Mirëfilltë ndahet në tri pjesë: Mentalja
Menduese ose intelekti, e zënë me ide dhe dije në vetvete; Mentalja
Dinamike, e zënë me nxjerrjen jashtë të forcave mentale për realizimin
e ideve; Mentalja Shprehëse, e zënë me shprehjen e ideve në jetë.
Mentalja
Vitale ose mendja e dëshirës
është një lloj ndërmjetëseje midis Vitales dhe Mentales Së Mirëfilltë.
Funksioni i saj nuk është të mendojë dhe të arsyetojë, të perceptojë, të
shqyrtojë, të zbulojë ose të vlerësojë gjëra, por të planifikojë, të ëndërrojë
ose të imagjinojë se çka mund të bëhet. Mentalja Vitale është një mendje e
vullnetit, veprimit dhe dëshirës dinamike dhe merret me shijim dhe pasje, forcë
dhe zbatim, me gëzim dhe vuajtje, dhënie dhe marrje, rritje dhe zgjerim etj..
Mentalja Vitale është e përzier me Vitalen. Prandaj ajo nuk qeveriset si
Mentalja Menduese nga arsyeja, por nga impulset dhe dëshirat e Vitales. Ajo
përpiqet t’i justifikojë dhe arsyetojë veprimet, të cilat bazohen në impulset
dhe dëshirat e Vitales.
Mentalja
Fizike merret vetëm me gjëra
fizike. Ajo kufizohet nga pamja dhe përvoja fizike e gjërave, i mentalizon
eksperiencat e kontaktit me jetën e jashtme dhe me gjërat dhe nuk shkon përtej
tyre. Mentalja Fizike është e përzier me Fiziken dhe merr pjesë në
karakteristikat e Koshiencës Fizike si plogështi, errësirë dhe përsëritje mekanike,
të cilat manifestohen në Mendjen Fizike si mpirje mentale, konservatizëm,
dyshim dhe mendime obsesive.
Mentalja Mekanike, ngushtësisht e lidhur me Mentalen Fizike, përsërit pa dobi gjithçka që ka ndodhur. Karakteristika e saj është kjo e një makine që ecën pa ndërprerje sa herë të shfaqin mendime në të.
Vitalja/Jeta
Qenia Vitale ose
natyra e jetës përbëhet nga dëshirat, sensacionet, ndjenjat, pasionet,
impulset, energjitë e veprimit dhe nga gjithë loja e instinkteve posesive dhe e
të tjerave të lidhura me të si inati, frika, lakmia, epshi etj.. Energjia e
jetës, Prana (sanskr. prāṇa), e cila
gjallëron trupin, është një aspekt i Vitales.
Vitalja përbëhet
nga tri pjesë kryesore: Vitalja Më E Lartë, Vitalja E Mesme/Vitalja E
Mirëfilltë dhe Vitalja Më E Ulët.
Vitalja
Më E Lartë është Vitalja Mentale dhe
Vitalja Emocionale të marra bashkë.
Vitalja Mentale u jep emocioneve, dëshirave, pasioneve, sensacioneve ose
lëvizjeve të tjera të Qenies Vitale një shprehje mentale nëpërmjet të menduarit,
të folurit ose një mënyre tjetër.
Vitalja Emocionale është vendi i ndjenjave të ndryshme si dashuria
(njerëzore), gëzimi, hidhërimi, urrejtja etj..
Vitalja
E Mesme ose Vitalja E Mirëfilltë është dinamike, e ndjeshme dhe e pasionuar.
Ajo është vendi i dëshirave dhe reagimeve më të forta vitale si ambicia, krenaria,
frika, lavdidashja, tërheqjet dhe shtytjet, dëshirat dhe pasionet e të gjitha
llojeve. Përveç kësaj ajo është fusha e shumë energjive vitale.
Vitalja
Më E Ulët përbëhet nga lëvizjet më
të vogla të jetë-dëshirës dhe jetë-reagimeve njerëzore. Ajo merret me dëshirat
dhe ndjenjat më të vogla si dëshira për ushqim, dëshirat seksuale, pëlqimet dhe
mospëlqimet, mburrja, zënkat, dëshira për lëvdatë, zemërimi dhe dëshirat e
vogla të tjera të çdo lloji.
Vitalja Fizike është ajo pjesë e Vitales, e cila është e drejtuar plotësisht ndaj gjërave fizike dhe është e mbushur me dëshira, lakmi dhe kërkesa për kënaqje në nivelin fizik.
Fizikja/Materia
Qenia Fizike
nuk është vetëm trupi, por edhe gjithë natyra materiale.
Trupi ka gjithashtu një koshiencë vetjake, e cila vepron
në funksionet e pavullnetshme të organeve të ndryshme trupore dhe sistemeve të
ndryshme fiziologjike.
Koshienca
E Trupit është vetëm një pjesë e Koshiencës Fizike, e cila përfshin edhe
Mentalen
Fizike dhe Vitalen Fizike.
Fizikja Vitale, ngushtësisht e lidhur me Vitalen Fizike, është pjesë e forcës vitale, në të cilën mbështetet Qenia Nervore. Ajo është mjeti i përgjigjeve nervore dhe lidhet ngushtë me reagimet, dëshirat, nevojat dhe sensacionet e trupit.
Nënkoshienca
Nënkoshienca ndodhet poshtë Mentales dhe Vitales
koshiente dhe nuk duhet të ngatërrohet me Subliminalen, e cila është një
Koshiencë E Brendshme, më e gjerë sesa Koshienca Sipërfaqësore ose E Jashtme,
dhe gjendet prapa kësaj. Nënkoshientja është një koshiencë e ulët dhe e
reduktuar.
Nënkoshienca
e individit është ajo pjesë e zhytur e Qenies së tij, në të cilën nuk ka ndonjë
mendim, vullnet dhe ndjenjë të zgjuar koshiente e koherente ose ndonjë reagim
të organizuar, por një pjesë që, megjithatë, merr dhe mbledh në mënyrë të
fshehtë përshtypjet e të gjitha gjërave. Prej saj të gjitha llojet e nxitjeve
dhe lëvizjeve të zakonshme këmbëngulëse mund të ngrihen në ëndrra ose në
gjendjen e zgjuar. Tek njeriu i zakonshëm Nënkoshientja përbën pjesën më të
madhe të Qenies Vitale si dhe Mentalen Fizike dhe Koshiencën sekrete Të Trupit.
Nënkoshientja “mbulon elementet pastërtisht fizike e vitale të ndërtimit të qenies sonë trupore, të pamentalizuara, të paruajtura dhe të pakontrolluara nga mendja në veprimin e tyre. Ajo përfshin koshiencën okulte dinamike të heshtur, e paperceptuar nga ne, e cila vepron në qelizat dhe nervat dhe në gjithë lëndën fizike dhe rregullon procesin e tyre të jetës dhe përgjigjet automatike. Ajo i mbulon gjithashtu ato funksione më të ulëta të perceptim-mentales së zhytur, të cilat janë më aktive në kafshë dhe në jetën bimore. Në evolucionin tonë e kemi lënë prapa nevojën e një veprimi të organizuar më të gjerë të këtij elementi, por ai mbetet i kredhur dhe errët në lëvizje poshtë natyrës sonë koshiente. Ky aktivitet i errët shtrihet në një nënshtresë mentale të fshehur, në të cilën fundosen përshtypjet e shkuara dhe gjithë ajo, që është refuzuar nga mentalja sipërfaqësore, dhe në të cilën ato mbeten të ruajtura në mënyrë latente. Nga atje ato mund të ngrihen në gjumë ose në mungesë të mentales, duke marrë forma ëndrre, forma veprimi ose forma sugjestive të mentales mekanike, forma reagimi ose forma të impulsit vital automatik, forma të anomalisë fizike ose të turbullimit nervor, forma të morbiditetit, sëmundjes dhe çekuilibrit. Nga nënkoshientja ne sjellim zakonisht aq shumë në sipërfaqe sa perceptim-mentalja jonë e zgjuar dhe inteligjenca jonë kanë nevojë për qëllimet e tyre. Duke i sjell këto gjëra kështu në koshiencën tonë të zgjuar, ne nuk jemi koshientë për natyrën, origjinën dhe veprimin e tyre dhe nuk i kuptojmë në vlerat e tyre, por me anë të një përkthimi në vlerat e perceptimit dhe inteligjencës sonë njerëzore të zgjuar. Mirëpo, shfaqja e nënkoshiencës me efektet e saja mbi mendjen dhe trupin është në pjesën më të madhe automatike, e pathirrur dhe e pavullnetshme, sepse ne nuk dimë asgjë për këtë dhe si rrjedhojë nuk kemi asnjë kontroll mbi nënkoshienten.”[8]
Jokoshienca
Jokoshienca
është gjendja më e involuar e Mbikoshiencës. Ajo është niveli më i ulët i
Koshiencës dhe ndodhet poshtë Nënkoshiencës. Në të vërtetë Jokoshientja nuk
është pa koshiencë, si termi mund të jepte të kuptojë, por një nivel i
Koshiencës, i cili përfaqëson një involucion total të Koshiencës, një “riprodhim invers të Mbikoshiencës Supreme. Ajo
ka të njëjtën absolutësi të qenies dhe veprimit automatik, por të mbyllur në
një trans të pamasë, një qenie, e cila është humbur në vetvete dhe është
rrëzuar në humnerën e vet të pafundësisë.”[9]
Evolucioni fillon nga Jokoshienca, nga e cila evoluohen dhe dalin progresivisht
të gjitha fuqitë e Mbikoshiencës, duke qenë materia manifestimi i parë.
[1] Sri
Aurobindo (1970): The Synthesis of Yoga. Pondicherry: Sri Aurobindo
Ashram, f. 395.
[2] Sri
Aurobindo (1989): The Supramental Manifestation. Pondicherry: Sri Aurobindo
Ashram, f. 41 v..
[3] Sri
Aurobindo (1970): The Life Divine. Pondicherry: Sri Aurobindo Ashram, f. 278
v..
[4] Sri
Aurobindo (1970): Letters on Yoga I. Pondicherry: Sri Aurobindo Ashram, f. 244.
[5] Sri
Aurobindo (1970): The Life Divine, f. 946 v..
[6] Po
aty, f. 944.
[7] Po
aty, f. 944.
[8] Po
aty, f. 733 v..
[9] Po
aty, f. 550.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen