Qeniet Armiqësore
Qeniet Armiqësore
Qeniet
Armiqësore[1]
janë zotat e errësirës, ndarjes, vdekjes dhe vuajtjes, të cilat luftojnë me
Perënditë për sundimin mbi ekzistencën, karakterin dhe veprën njerëzore. Këto
forca janë qenie të egoizmit injorant që krijojnë falsitetin, gënjeshtrën dhe
mashtrimin në një botë të padijes, rebelojnë kundër Së Vërtetës, Dritës dhe
Hyjnores dhe kundërshtojnë qëllimin hyjnor dhe evolucionin spiritual të
njeriut. Ato hiqen sikur e kanë dijen e vërtetë.
Qeniet Armiqësore kanë fushën e tyre kozmike, botën e
tyre të sundimit. Format që marrin, janë nganjëherë forma pseudo-hyjnore dhe
mishërojnë gjithmonë falsitetin për ta sunduar botën. Ato nuk e ndryshojnë
kurrë qëllimin e tyre të brendshëm, të keqen, prandaj ato duhet të shkatërrohen
bashkë me të keqen. Ato, si të thuash, transformohen me anë të shkatërrimit.
Ka tri
lloje nga forcat armiqësore: Asurët (sanskr. asura), Rakshasët (sanskr. rākṣasa)
dhe Pishaçët (sanskr. piśāca). Asurët, të quajtur edhe Titanë, janë qenie të individualizuara të
mentales vitale ose të vitales së mentalizuar. Mendja dhe vullneti i tyre
funksionojnë në emrin e egoizmit dhe injorancës. Ata shquhen për vetëkontroll,
forcë përqendrimi, forcë egoiste, luftë dhe inteligjencë për hir të egos. Shumë
prej tyre janë të bukur nga ana e jashtme, bile mund të jenë të rrethuar nga
drita.
Ka dy lloj Asurësh: së pari Ish-Perënditë, të cilat
kanë qenë më parë fuqi hyjnore dhe kanë rënë në errësirë për shkak të rebelimit
të tyre kundër vullnetit hyjnor. Ato mund të ndryshojnë. Madje transformimi i
tyre është i domosdoshëm për qëllimet më të larta të universit!
Së dyti Asurët
e Zakonshëm, qenie të fiksuara joevolucionare, të cilat mishërojnë një
princip fiks të krijimit që as shpaloset as ndryshon. Ata nuk kanë Shpirt, nuk
kanë Qenie Shpirtërore, e cila shpaloset në një gjendje më të lartë. Por ata
posedojnë një ego të fuqishme, një mentale, nganjëherë një mentale të
intelektualizuar lart. Mendimi dhe ndjesia e tyre janë plotësisht vitale dhe jo
mentale dhe i shërbejnë dëshirës së tyre dhe jo së vërtetës.
Rakshasët, të quajtur edhe Gjigantë, janë qenie të
individualizuara të vitales së mesme dhe shtyhen nga dhuna dhe pasioni nën
ndikimin e egoizmit dhe padijes. Ata janë të shëmtuar dhe të pështirë.
Pishaçët, të quajtur edhe Demonë, janë qenie të
paindividualizuara të nivelit më të ulët vital ose fiziko-vital dhe shtyhen nga
dëshirat më të ulëta dhe më të errëta, të cilat anojnë nga demoniakja dhe
perversja. Në nivelin lëndorhollë-fizik ata janë forca injorante të errëta, të
ashtuquajtura qenie elementare, nga të cilat ekzistojnë dy lloje: ato që janë
të këqija dhe ato që nuk janë të këqija. Demonët janë gjithashtu të shëmtuar
dhe të pështirë.
Rezistenca normale e natyrës më të ulët në qenien
njerëzore dhe veprimi i forcave armiqësore janë dy gjëra krejtësisht të
ndryshme. Prandaj forcat armiqësore nuk duhen ngatërruar me dobësinë normale
njerëzore, e cila bazohet në veprimin e natyrës më të ulët të padijes. Natyra
më e ulët është e paditur dhe johyjnore, por nuk është armiqësore në vetvete,
vetëm e mbyllur ndaj Dritës dhe Së Vërtetës. Forcat armiqësore nuk janë vetëm
johyjnore, por edhe antihyjnore. Ato përdorin natyrën më të ulët për interesat
e tyre, e pervertojnë[2]
dhe e mbushin me lëvizje të shtrembëruara për t’i ndikuar dhe kontrolluar
njerëzit. Nganjëherë shkojnë aq larg sa lindin me një trup njerëzor.
Ndërhyrja
nga ana e Qenieve Armiqësore mund të marrë dy forma. Së pari, këto qenie
përdorin forcat e natyrës më të ulët duke ushtruar presion mbi to në mënyrë që
këto forca natyrore të fillojnë të bëjnë qëndresë ku do të kishin qëndruar të
qeta, ose të bëhet qëndresa e tyre e fortë ku do të kishte qenë e lehtë, ose të
rrisin fuqinë e qëndresës ku ajo tashmë është e fuqishme.
Së dyti,
Qeniet Armiqësore futen me forcat e tyre brenda natyrës njerëzore. Atëherë
ndodh shpesh një zaptim i përkohshëm ose të paktën një ndikim i parezistueshëm,
i cili i shtrembëron mendimet, ndjenjat dhe veprimet e njeriut në një mënyrë të
tillë sikur ai të kishte humbur kontrollin mbi veten dhe të shtyhej nga një
forcë detyruese. Ose ndodh vetëm një ndikim i fortë, ku simptomat nuk janë aq
të qarta. Ose bëhet fjalë vetëm për një sulm, të cilit personi i qëndron.
Veprimi i
forcave armiqësore është një ndërhyrje e veçantë me anë të krijimit të
konflikteve të brendshme të dhunshme dhe depresioneve, mendimeve dhe impulseve
jonormale, të parezistueshme dhe irracionale në formë të sugjestioneve si p.sh.
braktisje e jogës, revoltë kundër Hyjnores, frikë nga katastrofat etj..
Forcat
armiqësore mund të përjetohen vetëm nëpërmjet eksperiencës jogike. Njeriu që
jeton në mentalen e zakonshme me idetë dhe perceptimet e saja, nuk ka nevojë të
merret me to, derisa ato mbeten të pazbuluara. Në Mentale ka vetëm dy kategori
ndikimesh të njohshme: nga njëra anë idetë, ndjenjat dhe veprimet e veta si dhe
ato të të tjerëve; nga ana tjetër ndikimi i mjedisit dhe i forcave fizike. Pas
fillimit të pikëpamjes së brendshme të gjërave gjithçka në nivelin vital bëhet
veprimi i forcave koshiente të Prakritit, të cilat luajnë me natyrën njerëzore
dhe përdorin pjesë nga ajo. Në nivelin mental forcat armiqësore manifestohen si
sugjestione mentale, por jo si fuqi konkrete.
Qëllimi,
të cilit i shërbejnë forcat armiqësore në botë, është që t’u japin mundësive të
jokoshiencës dhe të padijes një shans të plotë me harmonizimin supramental si
rezultatin e mundshëm. Puna jogike duhet të përballet me veprimin e forcave
armiqësore në qenien njerëzore. Me sa duket, bota po sundohet nga fuqitë e
errëta. Njeriu duhet ta pranojë si është dhe të përpiqet të fitojë. Përvoja
spirituale tregon se në sfondin e të gjitha gjërave gjendet një fushë e gjerë e
paqes, qetësisë dhe lirisë. Kur njeriu hyn në të, ai mund të arrijë pamjen
njohëse dhe mund të shpresojë të arrijë gjithashtu fuqinë fituese.
Kontakti
me botën dhe forcat armiqësore është një nga vështirësitë kryesore të sad’hakut[3].
Mirëpo të transformosh botën dhe forcat armiqësore do të ishte një detyrë tepër
e madhe dhe transformimi personal nuk mund të presë për këtë. Jogisti duhet të
mësojë të jetojë në Fuqinë Hyjnore në mënyrë që këto gjëra, këto elemente
shqetësuese të mos jenë në gjendje të hyjnë, ose, kur hyjnë, të mos jenë në
gjendje të pengojnë. Më tej duhet të mësojë të pastrohet dhe të forcohet aq
shumë nga kjo Fuqi sa të mos ketë më reagime ndaj diçkaje armiqësore brenda
vetes. Kur ndodhin zbritja e brendshme pastruese dhe, si rezultati i saj,
forcimi i Koshiencës Më Të Lartë në qenien e brendshme dhe kur Kjo më në fund
zëvendëson koshiencën e vjetër të paditur në pjesët krejt të jashtme, atëherë
bota dhe forcat armiqësore nuk vlejnë më – të paktën jo për vetë Shpirtin.
Mbetet sigurisht puna më e madhe e llojit jopersonal, në të cilën njeriu duhet
të përballet më tej me to.
Është një
fakt i njohur për të gjithë jogistët dhe mistikët në gjithë botën se, kudo që
të ushtrohet joga, forcat armiqësore mblidhen për ta penguar me çdo kusht.
Dihet se ekziston një natyrë më e ulët dhe një natyrë më e lartë spirituale.
Dihet se të dyja tërheqin drejtime të kundërta dhe se në fillim më e ulëta dhe
më vonë më e larta është më e fortë. Dihet se forcat armiqësore i përdorin
lëvizjet e natyrës më të ulët për të shkatërruar ose të paktën vonuar jogën.
Mirëpo gjithashtu dihet qëmoti se ata, të cilët janë dhe qëndrojnë të drejtë
dhe të sinqertë në zemër, si dhe ata, të cilët me gjithë vështirësitë, gabimet
dhe rrëzimet besojnë tek Hyjnorja, do të arrijnë qëllimin, sepse mbrojtja më e
mirë kundër të gjitha sulmeve, qofshin nga forcat armiqësore, qofshin nga
natyra e vet më e ulët, është besimi i qëndrueshëm tek ndihma e Nënës Hyjnore.
Qeniet
Armiqësore kanë një detyrë të caktuar të vetëzgjedhur. Ajo qëndron në provimin
e gjendjes së individit, punës dhe vetë tokës dhe gatishmërisë së tyre për
zbritjen dhe përmbushjen spirituale. Në çdo hap të udhëtimit spiritual ato
sulmojnë njeriun plot vrull, e kritikojnë dhe ndikojnë, e lënë të dëshpërohet
ose e nxisin për rebelim, zgjojnë mosbesim dhe shtojnë vështirësitë. Por kjo
rezistencë durohet që së lashti jo vetëm si një test ose provë zjarri, por edhe
si një detyrim për të kërkuar një forcë më të madhe, një vetënjohje më të
përkryer, një pastërti dhe forcë më intensive të përpjekjes, një besim që nuk
mund të tundet, një zbritje më të fuqishme të Mëshirës Hyjnore.
Qeniet Armiqësore janë pragmatike dhe duan vetëm sukses.
Ato shfrytëzojnë jokoshiencën e njerëzve, e cila u jep një shans. Ato e kanë të
lehtë në një botë të padijes, ku u duhet vetëm t’i bindin njerëzit të shkojnë
pas prirjes ekzistuese të natyrës së tyre më të ulët, ndërsa Hyjnorja thërret
gjithmonë për shndërrimin e natyrës. Pra, Asura ka një detyrë më të lehtë dhe
një sukses më spontan. Por ky sukses i përkohshëm nuk është domethënës për të
ardhmen.
Në zbritjen e tij falsiteti fillon në Mentale; në
ngjitjen e tij evolucionare falsiteti koshient fillon me fillesat e një
Mentaleje ende të ndërthurur me jetën. Në një botë evolucionare pa forcat
armiqësore do të kishte vërtet akoma padije, por jo zvetënim në padije.
Kur një qenie e botëve të fiksuara ka dëshirë të
zhvillohet, ajo duhet të zbresë në Tokë, të marrë një trup njerëzor dhe të
marrë pjesë në evolucion. Por qeniet vitale nuk duan të japin miratimin për
zhvillimin dhe prandaj përpiqen të posedojnë njeriun për të mundur të shijojnë
lëndshmërinë e jetës fizike pa marrë përsipër barrën e evolucionit ose pa iu
nënshtruar procesit të transformimit.
[1]
Sri Aurobindo (1970): Letters on Yoga I, f. 393-398; Sri Aurobindo (1970):
Letters on Yoga III. Pondicherry: Sri Aurobindo Ashram, f. 1731-1775.
[2] D.m.th.
„shtrembërojnë“. (Shënim i përkthyesit).
[3] Një njeri që përpiqet për vetërealizim, duke u
angazhuar në praktikimin e Sad’hanës
(sanskr. Sādhanā)
ose Jogës.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen