Studimet albanologjike në Austri Bisedë me Dr. Kurt Gostentschnigg, albanolog, historian, publicist, përkthyes, prozator dhe poet austriak.
Studimet
albanologjike në Austri
Bisedë me Dr. Kurt Gostentschnigg, albanolog, historian, publicist, përkthyes, prozator dhe poet
austriak.
Në: Mimoza
Hasani Pllana: Shtegtimi
i shqipes në Europë. Prishtina: Olymp 2019.
Kushdo që kërkon rrënjët e albanologjisë në Evropë, të gjitha rrugët do ta çojnë tek albanologët austriakë, që janë ndër kontribuesit më të mëdhenj përmes veprës dhe studimeve të çmuara për gjuhën dhe kulturën shqiptare, nga albanologu Johannes Georg von Hahn (1811-1869) që la pas vetes teza të fuqishme mbi vjetërsinë e gjuhës shqipe në Evropë dhe deri te albanologët e sotëm. Albanologët austriakë vlerësohen se janë të parët që nga shek. XVIII në masë më të gjerë u interesuan për studimin e drejtpërdrejtë të gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Studiuesit austriakë edhe sot kërkojnë rrënjët e gjuhës shqipe, traditës dhe kulturës me përkushtim dhe pasion mbresëlënës. Albanologu dhe përkthyesi letrar Kurt Gostentschnigg, me nostalgji kujton kohën kur filloi ta mësonte shqipen, duke e quajtur këtë gjuhë si dashurinë e tij të vjetër që lidhet me zemrën e tij, ndërsa me mendjen lidhet përmes historisë së shqiptarëve dhe marrëdhënieve austro-shqiptare. Si studiues i albanologjisë, Gostentschnigg, këtë shkencë e trajton brenda një koncepti më të gjerë që përfshin elemente nga historia, etnografia, arkeologjia, sociologjia, filozofia, gjeografia, etj, prandaj edhe interesimin dhe kontributin themelor të albanologëve austro-hungarezë e trajton në kontekstin politik, ekonomik dhe ushtarak të monarkisë Austro-Hungareze në Ballkan dhe në luftën e saj kundër pansllavizmit dhe imperializmit italian. Më vonë, përveç austriakëve, në këtë shtet kontribuan edhe albanologët e shquar shqiptarë, si: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Pekmezi, etj.
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza
Hasani Pllana: I nderuar Dr. Kurt Gostentschnigg, kërkimet tuaja përfshijnë një
periudhë të gjatë kohore të marrëdhënieve austro-shqiptare në disa fusha e edhe
në albanologji. Duke pasur parasysh se dëshmitë e studimeve të para
albanologjike vijnë nga studiuesit austriakë, do të doja ta nisim këtë bisedë
me historinë e studimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Austri, si nisi, si u
zhvillua, çfarë mund t`i ketë shtyrë linguistët austriakë të studionin shqipen
dhe si e vlerësoni veprën e tyre sot?
Kurt Gostentschnigg:
Meqenëse hapësira e intervistës është e kufizuar, dua të përqendrohem në
çështjet thelbësore. Për sa i përket termit “albanologji”, unë e përdor në
kuptimin më të gjerë të fjalës, d.m.th. për mua ai përfshin të gjitha fushat
shkencore, të cilat merren me studimin e shqiptarëve (histori, etnografi,
arkeologji, sociologji, filozofi etj.), gjuhës shqipe (gjuhësi, letërsi) dhe
vendbanimeve shqiptare (gjeografi, gjeologji etj.). Përgjigjen e kësaj pyetjeje
tepër komplekse e kam dhënë në 828 faqe të monografisë sime “Kurt Gostentschnigg: Wissenschaft im
Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische
Albanologie 1867-1918. Wiesbaden: Springer VS 2018”, titull i përkthyer në
shqip: „Shkenca në fushën tensionuese të
politikës dhe ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918“, dhe në
shumë shkrime të tjera të botuara, edhe në shqip. Shkurt: Në përgjithësi
interesimi dhe kontributi themelor i albanologëve austro-hungarezë ka pasur si
nxitje kryesore interesat politikë, ekonomikë dhe ushtarakë të Monarkisë
Austro-Hungareze në Ballkan në luftën e saj kundër pansllavizmit dhe
imperializmit italian.
M..:
A ju kujtohet si e mësuat shqipen, çfarë ju frymëzoi t’i thelloni studimet për
këtë gjuhë të vjetër evropiane?
K. G.: Shqipja është e dashura
ime e vjetër. Historia e shqiptarëve dhe marrëdhënieve austro-shqiptare është
në mendjen time, ndërsa gjuha shqipe në zemrën time. Kur, gjatë ekskursionit
universitar në Shqiperi në vitin 1989, e dëgjova për herë të parë tingullin e
ëmbël të shqipes, rashë menjëherë në dashuri me të. Fillova që në ditën e parë
të shënoja fjalët e para në një fletore të vogël. Me t’u kthyer në Austri,
fillova të mësoja për ditë në mënyrë autodidakte me një libër mësimor të
shqipes. Ndonëse i stërlodhur nga puna fizike me vëllain tim në fushën
metalurgjike në verën e vitit 1990, ulesha për ditë në darkë të kryeja të
paktën një mësim. Gjatë qëndrimeve të mia të mëvonshme në Shqiperi mblidhja
fjalë të urta nga veriu deri në jug, përsëri në një fletore të vogël dhe i
çmendja gjuhëtarët shqiptarë, si p.sh. Ali Dhrimon, me pyetjet e mia tepër të
hollësishme dhe këmbëngulëse lidhur me pasaktësitë dhe kontradiktat në librat
mësimorë dhe gramatikorë. Puna e përkthimit dhe hartimi i shkrimeve të mia në
shqip më mundësojnë ta ushqej këtë dashuri të ëmbël.
M.:
Bazuar në kërkimet tuaja, sa është trajtuar çështja e etnogjenezës shqiptare në
studimet austro-hungareze?
K. G.: Këtë çështje e kam
trajtuar hollësisht p.sh. në shkrimin tim “Kurt
Gostentschnigg: Dimensioni politik i trajtimit të çështjes së etnogjenezës
shqiptare nga ana e albanologjisë austro-hungareze. Në: Studimet albanistike në
vendet ku flitet gjermanisht. Konferencë shkencore ndërkombëtare Prishtinë,
26.-27.10.2017. Prishtina: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës 2018, f.
477-491.” Përmbledhtas: Të dy teoritë kryesore mbi etnogjenezën shqiptare
në kohën e Monarkisë Dualiste kanë qenë: teoria ilire e prejardhjes së shqipes
nga ilirishtja ose e autoktonisë së shqiptarëve si pasardhës të ilirëve; teoria
trake e prejardhjes së shqipes nga trakishtja ose e imigrimit të paraardhësve
trakë. Albanologët austro-hungarezë mbështetnin ose njërën ose tjetrën. Norbert
Jokl mbante një qëndrim të ndërmjetëm. Në kohën e sotme janë përsëri dy
gjuhëtarë austriakë, Joachim Matzinger dhe Stefan Schumacher, që nxisin debatin
nga e para me teorinë e tyre të re, e cila përfaqëson një pozicion të tretë
alternativ, të një substrati ballkanik, duke mbrojtur prejardhjen e shqipes as
nga ilirishtja as nga trakishtja dhe zhvillimin e saj nga një gjuhë tjetër e
panjohur ballkanike e vjetër.
M.:
Në karrierën tuaj universitare keni ligjëruar në Universitetin e Vjenës dhe në
Universitetin e Graz-it. A mund të na thoni si janë të pozicionuara studimet
për gjuhën dhe letërsinë shqipe në këto dy universitete?
K. G.: Ina Arapi është
ekspertja për historinë e studimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe në
Universitetin e Vjenës. Kur jepja mësim për fillestarë dhe të përparuar në
Departamentin e Gjuhësisë në vitet 2001-2002, kishte rënë tashmë interesimi nga
ana e studentëve për shkak të mungesës së perspektivës për vend pune. Në
Universitetin e Graz-it ishte Departamenti i Translatologjisë (shkenca e
përkthimit dhe interpretimit), i cili e ofroi për herë të parë shqipen si degë
përkthimi në vitin 2005, ku isha ndër pedagogët e parë të mësimdhënies së
shqipes dhe të lëndëve përkatëse të përkthimit dhe interpretimit. Por
interesimi i madh fillestar i studentëve ra brenda një viti gati në zero, sepse
ata orientoheshin sipas shanseve të tyre në tregun e punës. Kështu që kjo degë
u mbyll pas dy viteve me vendimin e shefes së re gjermane, e cila nuk ishte e
interesuar për gjuhë të vogla, të cilat nuk i hynin në punë frymës neokapitaliste
të përhapur në gjithë botën. Peticioni nga ana e pedagogëve në favor të
ruajtjes së shqipes mbeti pa efekt.
M.:
Përveç në universitetet austriake, keni ligjëruar edhe në Universitetin e
Tiranës dhe në Universitetin e Shkodrës në Shqipëri. Si e kujtoni atë kohë,
çfarë mbresa ju la Shkodra?
K. G.: Për orientim biografik: dy muaj me bursë
doktorature në fund të vitit 1992, katër muaj me po këtë bursë në vitin 1993.
Pastaj gjashtë vite si lektor në Universitetin e Tiranës, 1993-1995 në
Departamentin e Gjuhës Gjermane dhe 1996-2000 në Departamentin e Historisë.
Kisha ardhur në Tiranë me bronkit kronik dhe më duhej të shkruaja disertacionin
krahas punës si lektor. Për orientim politik: koha e Sali Berishës dhe Partisë
Demokratike, e firmave piramidale, e trazirave si në një luftë civile në 1997,
e Fatos Nanos dhe Partisë Socialiste, e Luftës së Kosovës dhe refugjatëve
kosovarë 1998/1999, e luftës për pushtet dhe pasurim të shpejtë personal. Për
orientim ekonomiko-shoqëror: koha e zaptimit të tokës, e shkatërrimit të
natyrës, e ikjes së trurit jashtë shtetit, e korrupsionit, e mungesës së
perspektivave për rininë, e lënies në baltë të pjesës më të madhe të
popullsisë. Për orientim jetese: koha e rrugëve gropa-gropa, e ikjes së
dritave, e mungesës së ujit, e ngrohjes me vaj guri, e zhurmës së gjithanshme.
Me
studentët e mi në Tiranë kisha në përgjithësi marrëdhënie shumë të mira,
megjithëse kreshta midis respektit për mësuesin dhe shfrytëzimit të miqësisë
ishte shumë e ngushtë. Së bashku bënim festa, luanim futboll në park dhe
shëtisnim në natyrë. Por afrimiteti im me studentët më fuste edhe në situata të
vështira, p. sh. kur miqësia keqkuptohej si gatishmëri për dhënien e notave të
pamerituara. Detyra ime si lektor në Departamentin e Historisë ishte t’i jepja
mësim një grupi të vogël studentësh të përzgjedhur nga unë në gjuhën gjermane
dhe historinë e marrëdhënieve austro-shqiptare. Nga ky projekt i pashoq kishin
dalë disa absolventë, të cilët bënë një karrierë të shkëlqyer akademike.
Në
Universitetin e Shkodrës kam punuar si pedagog në Degën e Gjuhës Gjermane në
vitet 2006-2011. Kisha marrëdhënie intensive me studentët e mi, me disa prej
tyre më lidh ende sot një miqësi për jetë. Por eksperimenti im i kalimit të
mësimdhënies nga stili i vjetër autoritar në stilin e ri miqësor dështoi në
përgjithësi, sepse shumica e studentëve nuk e kuptonte dot nevojën e ndarjes së
jetës private nga koha e mësimit dhe të ruajtjes së disiplinës minimale.
Ndikimin e dialektit shkodran në të folurit tim shqip e përjetoja si “prishje të
gjuhës”, ndërsa miqtë e mi shkodranë e cilësonin si “rregullim të gjuhës”.
M.:
Duke qenë se jeni edhe poet, sa e lexoni veprën poetike shqiptare? A mund të na
përmendni poetë veprat e të cilëve i lexoni me kënaqësi?
K. G.: Lista është e gjatë, prandaj do t’i përmend vetëm ata autorë, të cilët i kam më shumë për zemër: ndër autorët shqiptarë Lasgush Poradeci, Migjeni, Fan Noli; ndër autorët joshqiptarë Johann Wolfgang von Goethe, Hermann Hesse, Pablo Neruda, Sri Aurobindo. Si libër letrar dua ta veçoj “Princi i vogël”, sepse është për fëmijë dhe të rritur, pafundësisht i thellë, në fakt një vepër mistiko-spirituale.
M.:
Përveç zhvillimit dhe promovimit të albanologjisë në shtetin austriak, keni
arritur ta bëni të njohur përmes përkthimit edhe veprën letrare të shkrimtarëve
shqiptarë. A mund të na thoni se ku bazohet përzgjedhja juaj: në mendimet e
kritikës letrare, në shijen tuaj personale apo sipas kërkesave të botuesit?
K. G.: Në përzgjedhjen e
veprave letrare për përkthim unë nuk mbështetem as në mendimin e kritikës
letrare as në kërkesën e shtëpive botuese. Zakonisht, kritika letrare fshihet
pas nocioneve të ndërlikuara dhe shpesh të vetëshpikura dhe të pakuptueshme për
lexuesin dhe rrotullohet rreth intelektit, duke i përjashtuar kategoritë e
zemrës dhe të Shpirtit, realitetin e të cilëve ose nuk e pranon ose nuk e
kupton. Dhe shtëpitë botuese ia kanë shitur shpirtin maksimalizimit të
përfitimit. Emri ose fama e autorit nuk më intereson. Mua më intereson vepra.
Prandaj unë nisem nga përmbajtja e veprës, qoftë prozaike, qoftë poetike, qoftë
me rimë, qoftë pa rimë. Në qoftë se gjej punët e zemrës dhe të Shpirtit atje,
atëherë unë e marr përsipër me kënaqësi. Puna e përkthimit, meqë është e
vështirë, në qoftë se bëhet me seriozitet, duhet të shpërblehet financiarisht
në mënyrë të drejtë. Një përkthyes i mirë i bashkon të trija kompetencat
kryesore në një person: kompetencën gjuhësore, kompetencën përkthimore dhe
kompetencën kulturore. Në qoftë se ka mangësi qoftë edhe vetëm në njërën nga
këto kompetenca, atëherë përkthimi nuk mund të jetë në nivelin e duhur.
M.:
A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar aktualisht nga fusha e albanologjisë
dhe përkthimeve të veprës letrare shqipe për lexuesin austriak?
K. G.: Aktualisht nuk po merrem me ndonjë përkthim letrar, por me shkrimin tim historiko-shkencor “Kombi si Shpirt Kolektiv”, në të cilin paraqes një temë dhe një qasje të re në shkencën historike shqiptare, duke e krahasuar çështjen shqiptare me çështjen indiane. Shkenca nuk zhvillohet si qëllim në vetvete. Ajo i shërben njeriut, shoqërisë, njerëzimit. Por përballë kompleksitetit dhe ndërvarësisë së sfidave kolosale në botë, shkenca e sotme që mbështetet në përgjithësi vetëm në arsye, mendje dhe intelekt, gjendet në qorrsokakun mental, sepse ajo vetë është pjesë e problemit, si në Shqipëri dhe Kosovë ashtu në gjithë botën. Shkencëtarët dhe intelektualët janë si të vetëburgosur në burgun e intelektit, i cili është shumë i aftë për analizë dhe kundëranalizë, përgjigje dhe kundërpërgjigje, studim dhe kundërstudim, por krejt i paaftë për një sintezë integrale esenciale. Prandaj duhet një koshiencë më e lartë, epoka e re e intuitës, e cila e di dhe e sheh të vërtetën në mënyrë direkte, për t’i zgjidhur bashkërisht problemet e mëdha botërore, të cilat po fillojnë të kërcënojnë ekzistencën e njerëzimit. Duhet kontributi i shkencës së hapur ndaj intuitës, siç është p.sh. vepra e spiritualo-intelektualit shqiptar Petro Zheji. Duhet kontributi i rinisë shqiptare të lindur me një koshiencë më të avancuar sesa brezi i vjetër. Por ku është kjo shpresë për një të ardhme më të mirë, për shpëtimin e planetit tonë? Mos është e hipnotizuar ajo nga joshjet permanente të konsumimit turbokapitalist dhe nga premtimet mashtruese të ezoterikës pseudospirituale? Pse duhet të përjetojmë sot në Shqipëri dhe në Kosovë përsëritjen e luftës për pushtet politik dhe ekonomik, sikur kemi ngecur në filllimvitet 90? Vitaliteti i lavdëruar i popullit shqiptar – për se po shfrytëzohet që prej tri dekadash? Për qëllime egoiste të jashtme, për egon personale dhe egon familjaro-klanore? Apo për qëllime shpirtërore të brendshme, për Veten individuale, Veten kombëtare dhe Veten botërore? Kur do të çohet më në fund ky popull i vjetër, ky komb i ri, i udhëhequr nga paria spirituale, nga rinia shkollore e studentore, nga elita intelektuale, nga njerëzit me zemër dhe Shpirt, në mëmëdhe dhe në mërgim, duke gjetur Shpirtin e vet të fshehtë dhe ligjin e vet të brendshëm, për t’i zhdukur strukturat e vjetra mafiozo-partiako-ekonomiko-shtetërore dhe për t’i zëvendësuar ato me struktura vërtet njerëzore e shpirtërore? Sidoqoftë, herët a vonë kjo do të ndodhë, sepse esenca e përhershme e unitetit ose Shpirti, ende duke prehur fshehurazi me gjithë forcën e pafund në individ dhe në kolektiv, kur të dalë një ditë në pah dhe t’i marrë frerët e veprimit në dorë, nuk do të ndalet dot.
Dr. Mag. phil. Kurt Gostentschnigg u lind më 1965 në Eibiswald, Landin e Steiermark-ut në Austri. Është
historian, albanolog, përkthyes, shkrimtar dhe poet. Studimet themelore në
gjuhën gjermane dhe histori i përfundoi në vitin 1990, ndërsa doktoraturën në
fushën e historisë në vitin 1996 në Universitetin e Graz-it. Është ekspert në
fushën e albanologjisë austro-hungareze për raportet mes shkencës, politikës
dhe ushtrisë si dhe për marrëdhëniet austro-hungarezo-shqiptare në politikë,
ekonomi, kulturë, ushtri dhe shkencë. Punoi 6 vite si ligjërues në
Universitetin e Tiranës, 1993-1995 në Departamentin e Gjermanistikës në Fakultetin
e Gjuhëve të Huaja dhe 1996-2000 në Departamentin e Historisë në Fakultetin e Historisë
dhe Filologjisë. Për një vit ishte ligjërues në Universitetin e Vjenës, 2001-2002,
në Institutin e Shkencave gjuhësore në cilësinë e udhëheqësit të kurseve të
gjuhës shqipe. Dy vite ishte ligjërues edhe në Universitetin e Graz-it, 2004-2006,
në Institutin e Shkencave të Përkthimit për degën e përkthimit
gjermanisht-shqip. Tutje, në vitet 2006-2011 ligjërues në Universitetin e
Shkodrës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Departamentin e Gjermanistikës.
Nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka qenë i angazhuar në Departamentin e
Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Graz-it në projektin
kërkimor ,,Albanologjia austro-hungareze 1867-1918 – një shembull i
imperializmit kulturor?’’, rezultati i të cilit është monografia voluminoze
„Kurt Gostentschnigg: Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär.
Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Wiesbaden: Springer VS
2018.“, 828 f., shqip: „Shkenca në fushën tensionuese të politikës dhe
ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918“. Deri më sot Gostentschnigg
ka arritur mbi 125 botime dhe kumtesa në fushat e historisë, albanologjisë dhe
gjuhësisë si dhe përkthime në fushën e letërsisë dhe artikuj në media
gjermanisht- dhe shqipfolëse.
E botuar në:
Kultplus. 29.7.2019. https://www.kultplus.com/intervista/studimet-albanologjike-ne-austri/
Dielli Demokristian 10 (2019), nr. 38, f. 8-10. http://www.dielli-demokristian.at/numrat.html
Intervista: Studimet albanologjike në Austri. Kush është Kurt Gostentschnigg? Në: Tema. 6.8.2019. http://www.gazetatema.net/2019/08/06/studimet-albanologjike-ne-austri/
Javanews. 6.8.2019. https://www.javanews.al/intervista-flet-per-studimet-albanologjike-ne-austri-kurt-gostentschnigg/
Shkencëtarët dhe intelektualët janë të vetëburgosur në burgun e intelektit. In: Telegrafi. 7.8.2019. http://time.ikub.al/19-08-07-Shkencetaret-dhe-intelektualet-jane-te-veteburgosur-ne-burgun-e-intelektit872317/Shkencetaret-dhe-intelektualet-jane-te-veteburgosur-ne-burgun-e-intelektit.aspx
Kommentare
Kommentar veröffentlichen