Perënditë / Devat
Perënditë / Devat
Këto nivele të Koshiencës janë botë më vete: ato kanë
forcat, format dhe qeniet e tyre. Ne jemi pjesërisht të zhytur në to dhe të
ndikuar nga to. Forcat e Dritës, d.m.th. Perënditë
ose Devat (sanskr. deva), rrinë në të gjitha nivelet,
ndërsa forcat e errësirës, d.m.th. Asurët
(sanskr. asura) etj., rrinë vetëm në
nivelet e Mentales, Vitales dhe Fizikes. Botët e Devave dhe Asurëve mentalë
vitalë e lëndorhollë janë më të vjetra sesa evolucioni.
Perënditë[1]
Devat ose Perënditë janë qenie të
Dritës, fuqi dhe personalitete kozmike të Hyjnores, ndërmjetës të veprimit
hyjnor, të pranishëm në të gjitha nivelet e koshiencës, me rangun e tyre
kozmik, me detyrën dhe punën e tyre në univers dhe mund te fshihen pas lëvizjeve
të forcave jopersonale.
Perënditë
e mëdha i përkasin nivelit të Mbimentales, ku ato shfaqen si personalitete të
ndara. Në Supramentale ato janë të bashkuara në një veprim të vetëm harmonik si
personalitete të shumëfishta në Personin e vetëm, në Purushotamën hyjnor. Në
Mbimentale dhe në botën e trefishtë të padijes ato shfaqen si qenie të
pavarura. Çdo Perëndi mund të zbresë në nivelin fizik nëpërmjet një emanacioni
dhe të asociohet me zhvillimin e një qenieje njerëzore.
Fuqia
personale e Hyjnores, Shakti transhendente mbikozmike ose Adjashakti (sanskr. ādyā śakti), fuqia më e lartë mbi
univers, nëpërmjet së cilës manifestohen të gjitha Perënditë, madje Ishvara
supramental, fuqitë dhe personalitetet e të cilit janë Perënditë, shfaqet në
kozmos si Mahashakti (sanskr. mahāśakti) ose Nëna
Universale, e cila përfaqësohet nga katër fuqitë e saja personale të pavarura Maheshvari (sanskr. maheśvarī)
ose Perëndesha e Dijes Supreme, Mahakali
(sanskr. mahākālī) ose Perëndesha e
Forcës Supreme, Mahalakshmi (sanskr.
mahālakṣmī) ose Perëndesha e
Dashurisë dhe Gëzimit Suprem, Mahasarasvati
(sanskr. mahāsarasvatī) ose
Perëndesha e Aftësisë dhe Punës Supreme. Në nivelin supramental ato janë
gjithnjë në Nënën Universale si pjesët e brendshme të Mahashaktit Supramental
dhe nuk veprojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Në nivelin mbimental
ato janë Perënditë Kozmike të Nënës Universale, të cilat gjenden gjithnjë në
lojën e botëve.
Devat janë pa formë dhe megjithatë kanë formë. Por një
Devë mund të marrë forma të shumta. Forma i përket krijimit ose manifestimit.
Në nivelet mbifizike format vërtet janë karakteristike, por jo përcaktuese.
Forma ekziston në nivelet mentale e vitale, por ajo është më plastike dhe më e
ndryshueshme sesa në natyrën fizike. Në nivelin mental mbizotërojnë perceptimi,
ideja dhe domethënia mentale, të cilët shprehen nëpërmjet formës. Këto forma
mentale mund të jenë të shumëllojshme. Shumë forma mund të shprehin një ide ose
aspekte të ndryshme të një ideje në mënyra të ndryshme. Në nivelin vital
mbizotërojnë forca dhe ndjenja, të cilat shprehen gjithashtu nëpërmjet formës.
Por një qenie vitale mund të ndryshojë formën e saj karakteristike dhe ta
fshehë në forma të tjera.
Perënditë ose Devat janë qenie që i përkasin një tipi të
veçantë, dhe nuk janë krijesa evolucionare, prandaj nuk kanë Qenie Shpirtërore,
por kanë një Purushë dhe një Prakrit. Purusha është një qenie esenciale, e cila
e mbështet lojën e Prakritit. Perëndia është një qenie dinamike, e cila
manifestohet në Prakrit për punën e nivelit, të cilit ajo i përket. Ky Purushë
mund të nxjerrë një Purushë mental dhe një Purushë vital si përfaqësuesin e
tij, i cili i përket pastaj botës mentale dhe botës vitale. Në botën e
Perëndive vitale zotëron një harmoni e shqisave të ngopura e të sublimuara dhe
e dëshirave vitale. Çdo botë joevolucionare kufizohet në harmoninë e vet. Toka në të kundërt është një botë evolucionare, aspak e
bukur ose harmonike, as si botë lëndore, por më tepër e mbushur me halle,
joharmonike dhe e pakryer.
Perënditë nuk mund të transformohen, por ato mund të
heqin dorë nga botëkuptimi i tyre dhe t’i nënshtrohen vullnetit më të lartë dhe
së vërtetës supramentale të Hyjnores. Madje Perënditë vetë duhet të zbresin në
Tokë dhe të mishërohen këtu, kur duan të arrijnë çlirimin spiritual dhe të lënë
përsosmërinë e tyre të kufizuar. Ato duhet të hyjnë në fundësinë e fundit për
të arritur pafundësinë e fundit.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen